
10 aeroportet me te mira ne bote per 2015
Kualiteti i udhëtimit me avion varet edhe nga aeroporti, për shkakun se pikërisht nga aeroporti nis edhe udhëtimi. Siguria, funksionaliteti dhe komoditeti i një aeroporti, janë shumë të rëndësishëm për udhëtarët. Për këtë arsye, shoqëria britanike Skytrax ka bërë një sondazh se kush është aeroporti më i mirë në botë, duke bërë rreth 13 milionë sondazhe.
Në tre vendet e para për aeroportet më të mira, renditen aziatikët. Kështu, në vendin e parë si aeroporti më i mirë në botë renditet aeroporti i aeroporti “Changi” në Singapor, aeroporti Incheon International i Seulit, ndërsa në vendin e tretë renditet aeroporti i Mynihut. Më poshtë keni top 10 më të mira nga lista me plot 100 aeroporte.
1.Aeroporti "Changi" Singapor
Për të tretin vit radhazi, aeroporti “Changi” në Singapor ka fituar Çmimin si Aeroporti më i Mirë në Botë në Çmimet Botërore për Aeroportet “SkyTrax”, event i zhvilluar ditën e enjte në Paris. CEO i aeroportit, Lee Seoë Hiang tha se ky çmim vjen në një kohë transformimi për aeroportin.
Aeroporti menaxhon 5000 fluturime dhe nisje brenda javës, me 80 linja ndërkombëtare ajrore. Këtë muaj, “Changi” mori një grant prej 234 mln dollarësh për zgjerimin e Terminalit 1, raporton 'CNN". Çmimi i “Sky Trax” bazohet në 13 milionë sondazhe të plotësuara nga klientë të fluturimeve ndërkombëtare, nga 112 kombësi.
2. Aeroporti Ndërkombëtar "Incheon"
Dy vjet më parë kishte zënë vendin e parë, ndërsa përveç vendit të dytë, në vitin 2013 ka marrë edhe Çmimin e Aeroportit me Stafin me Shërbimet më të Mira në Azi dhe Çmimin Aeroporti më i Mirë i Transferit Ndërkombëtar. Ndërsa për 2015-ën ka zënë vendin e dytë në rënditje.
3. Aeroporti i Mynihut
Për dallim prej shumë aeroporteve tjera në botë, në të cilat ofrohen kryesisht ushqime të përgatitura në mikrovalë, në Aeroportin e Mynihut ofrohen ushqime të shijshme që të shkrihen në gojë. Aeroporti i Mynihut në vitet e fundit ka fituar edhe çmimin për Aeroportin më të Mirë në Evropën Qendrore dhe Aeroportin me Përvojën më të Mirë të Shërbimit të Ushqimit, ndërsa në listën e aeroporteve më të mirë në botë është renditur i treti.
4. Aeroporti Ndërkombëtar i Hong Kongut
I renditur i treti në vitin 2012, Aeroporti Ndërkombëtar i Hong Kongut ka rënë në vendin e katërt në votimin e përgjithshëm për Aeroportin më të Mirë në Botë në vitin 2013, pozitë kjo që gjeti edhe në vitin 2014 po ashtu edhe për 2015-ën. Megjithë rënien e lehtë, ky aeroport ka mbetur në mesin e aeroporteve të preferuara të votuesve. Përveç kësaj, Aeroporti i Hong Kongut renditet në pesëshen e parë në mesin e të gjitha aeroporteve në gjashtë kategori të ndryshme.
5. Aeroporti Ndërkombëtar i Tokios (Haneda)
Aeroporti Ndërkombëtar i Tokios është ngritur për pesë vende nga pozita që kishte në vitin 2012, duke hyrë kështu për herë të parë në mesin e top dhjetëshes botërore për vitin 2013. Haneda zuri vendin e parë në kategorinë e Aeroportit më të Mirë Vendor, një kategori e re kjo për vitin 2012 dhe Çmimin për Aeroportin me Terminalet më të Pastërta – ndërkaq në vitin 2014 renditet prapë lartë në pozitën e gjashtë, ndërsa këtë vit ka zënë vendin e pestë.
6. Aeroporti i Zyrihut
Nëse ndonjëherë ju ka ndodhur që ta humbni bagazhin, atëherë me siguri do ta vlerësoni faktin se Aeroporti i Zyrihut është fitues shumëvjeçarë në kategorinë e Aeroportit më të Mirë për Shpërndarjen e Bagazheve. Përveç vendit të shtatë më votim të përgjithshëm, në vitin 2013 ky aeroport ka fituar edhe cmimin për Aeroportin me Stafin me Shërbimet më të Mira në Evropë. Në vitin 2014 ndërkaq, u pozicionua një vend me poshtë, pra në vendin e tetë, ndërsa këtë vit është ngritur në dy pozicione, duke u klasifikuar në vendin e gjashtë për 2015-ën.
7. Aeroporti Qendror i Japonise
Çfarë bëni nëse nuk keni tokë të mjaftueshme për të ndërtuar një aeroport? Për këtë kërkoni ndihmën e japonezëve. International Airport në Japoni ose ndryshe Kansai airport, është i ndërtuar në një ishull artificial në Osaka Bay, në të cilin udhëtarët mund të shkojnë me veturë, me tren apo me anije. Vecantia e tij e ka bërë që të jetë në top 10 më të mirë për 2015, ku renditet në pozicionin e shtatë.
8. Aeroporti "Heathrow" i Londrës
Aeroporti Heathrow hyri në listën e top dhjetëshes, kryesisht për shkak të Terminalit 5 (T5) të tij shumë të vlerësuar, i cili u hap në vitin 2008. T5, siç njihet rëndom, fitoi gjithashtu çmimin për Terminalin më të Mirë të Aeroportit dhe atë për të katërtin vit me radhë. Përpjekja për ta fituar statusin e Aeroportit me 4 Yje u shpërblye në vitin 2012, pasi pothuajse i tërë aeroporti ishte rinovuar. Ndërsa në vitin aktual Heathrow i Londrës ka pozicionin e tetë në listën e top dhjetëshes më të mirë.
9. Aeroporti "Schiphol" i Amsterdamit
Për herë të parë që kur kur ka filluar ndarja e çmimeve Skytrax, Aeroporti Schiphol i Amsterdamit hyri në mesin e tre të parëve në vitin 2013, kryesisht për shkak të procesit shumë të avancuar dhe efikas të orientimit dhe vetëshërbimit gjatë transferimit. Schiphol po ashtu ka fituar edhe cmimet për Aeroportin më të Mirë në Evropë dhe Aeroportin më të Mirë në Evropën Perëndimore – ndërsa në vitin 2014 u pozicionua në vendin e pestë. Ndërsa këtë vit ka humbur pozicione duke u renditur i nënti në listë.
10 . Aeroporti i Ndërkombëtar i Pekinit
Aeroporti Ndërkombëtar i kryeqytetit Pekin ka filluar punën në vitin 2008 dhe që nga ajo kohë për çdo vit ka shtuar trafikun e pasagjerëve. Megjithatë, ky aeroport e mbante pozitën e pestë në klasifikimin e përgjithshëm për 2012-2013 dhe është zgjedhur edhe aeroporti më i mirë në Kinë, ndërsa në vitin 2014 ka pësuar një rënie të lehtë, duke u pozicionuar në vendin e shtatë. Ndërsa këtë vit me padyshim që e ka humbur pak prestigjin e tij, por përsëri është në top 10.
Më të lexuarat








